BSHZ

Konferenca Kombëtare “Institucionalizimi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe jashtë atdheut “

Shkruar nga Gresa. Postuar në LAJME

564654

Publikuar në December 14, 2012 me 0 Komente

Nga data 20-23 dhjetor në Prishtinë, me nismën e Ministrisë së Diasporës dhe së bashku me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, MASH- Shqipëri, MPJ të Republikës së Kosovës dhe MPJ të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuesit e shqiptarëve nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova Lindore, përfaqësuesit e mësimit plotësues në diasporë, Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Tiranës, Universitetin e Tetovës, do të organizohet Konferenca kombëtare për institucionalizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe jashtë atdheut.

Fakti që në Prishtinë do të mblidhen Ministra nga katër vendet shqipfolëse si dhe përfaqësues nga diaspora shqiptare, nuk është diçka që vetëkuptohet, por është një përpjekje për të mirën e fëmijëve të mërgimtarëve shqiptarë.

Organizimi i  kësaj Konference pasqyron dëshirën e përfaqësuesve të shteteve tona që të bëjnë çmos për të u afruar fëmijëve jashtë atdheut mësimin e gjuhës së nënës, shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe, për të ruajtur identitetin kombëtar, për të mbjell dashurinë ndaj kombit dhe atdheut.

Konferenca ka si qëllim gjetjen e mundësisë për ta avancuar institucionalizimin e shkollave shqipe jashtë atdheut.

Në ketë Konferencë Kombëtare nuk do të flitet për një fillim të shkollës shqipe por për një avancim të punës së filluar mbi 20 vjet më parë, nga mësues dhe veprimtarë të  angazhuar intensivisht në organizimin e mësimit plotësues dhe përfshirjes së nxënësve në ketë mësim.

Nga shatori i vitit 1990 shkolla shqipe është shkëputur nga ajo e ish-Jugosllavisë dhe është  përfaqësuar nga organet tona të vet organizuara.

Në Zvicër shkolla shqipe me mësim plotësues organizohej përmes dy shoqatave “ Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë”  dhe “Lidhja e Prindërve Shqiptarë” të cilat më 1994/95 u përcaktuan për një lidhje të përbashkët të quajtur Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” (LAPSH ). Po në ketë vit LAPSH-i është regjistruar në EDK ( Enti Arsimor i Konfederatës Zvicerane) duke e njohur zyrtarisht dhe duke i ftuar kantonet që të bashkëpunojnë me te. Për shkollën shqipe nga Ministria e atëhershme në mërgim u hartuan plan-programet dhe tekstet shkollore, dokumente pedagogjike /ditar, fletëregjistrim, libreza, dëftesa për nxënës dhe kuadri mësimor u zgjodh me konkurs. Për funksionimin e shkollës problem në veti doli pagesa e mësimdhënësve.

Kemi mbi njëzetë vjet që duam të hedhim hapin drejt institucionalizimit të shkollës shqipe dhe …rrëshqasim.

Ministria e Diasporës gjegjësisht z. Ibrahim Makolli  duke çmuar gjithë ato përpjekje të mësuesve, të veprimtarëve patriotë dhe të prindërve që ditë e natë punuan me vet kontribut nga një takim në tjetrin për të krijuar kushte për ruajtjen e gjuhës e kulturës te brezi i ri, është i gatshëm të marrë detyra e përgjegjësi. Duke e përgëzuar për nismën dhe qëllimet, urojmë që kjo Konferenca të arrijë synimet për  institucionalizimin e shkollave shqipe jashtë atdheut.

Presim që propozimet e parapara përmes grupeve punuese të bëhen realitet. Për vendimet që do të merren gjatë punimeve të konferencës të krijohet baza juridike e nevojshme për të garantuar një ecje më të mirë të shkollave të mësimit plotësues.

Mësimi plotësues jashtë atdheut nga viti i ardhshëm shkollorë presim të ketë mbështetjen e shtetit, Republikës së Kosovës, që ata të kenë në dispozicion dokumentacionin e domosdoshëm, që e bën të mundur realizimin e këtij mësimi.

Delemont, 10. 12. 2012                                                             Nexhmije Mehmetaj

Shpërndaje artikullin

No Comments

Comments for Konferenca Kombëtare “Institucionalizimi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe jashtë atdheut “ are now closed.