Në Shqipëri në 6-mujor, rritet prodhimi i energjisë

2 0
rriteprodhimi24

Humbjet e energjisë në rrjet në 6 muajt e parë të këtij viti pësuan ulje, duke rënë në 35%, nga 49% që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas INSTAT. Edhe pse ky tregues është ende në nivele të larta, vendosja nën administrim e kompanisë së shpërndarjes së energjisë duket se ka dhënë ndikim. Por sipas krahasimeve, treguesi i humbjeve në rrjet ngelet në nivele më të larta nga koha kur kompania ishte shtetërore dhe para privatizimit të rrjetit të shpërndarjes në vitin 2008.
Sivjet në këtë 6-mujor ka pasur bilanc më të mirë të energjisë elektrike, falë situatës më të mirë hidrike, ç’ka ka mundësuar prodhim më të lartë të energjisë në vend dhe ulje të importeve, transmeton ATSH.
Prodhimi i energjisë rezulton të jetë rritur me afro 90% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, duke arritur në sasinë prej 3959 GWh.
Importi i energjisë u ul me 35% ndaj vitit të kaluar dhe me sasinë pa futur shkëmbimet e energjisë në 171 GWh. Sivjet importi ka mbuluar vetëm 3.4% të sasisë së energjisë së hedhur në rrjet. Prodhimi i lartë ka favorizuar rritjen e eksporteve të energjisë me 3 herë më shumë, krahasuar me vitin e kaluar.
Edhe HEC-et private dhe koncesionare rritën prodhimin në gjysmën e parë të vitit me rreth 50%, duke prodhuar 236 GWh energji, ose 4.7% të energjisë së prodhuar në vend.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?