BSHZ

Përdorimi i Kamishibait si mjet didaktik dhe integrues

Shkruar nga Admin. Postuar në LAJME

kami

Publikuar në March 22, 2012 me 0 Komente

Ç’është kamishibai?

Kamishibai është mjet didaktik shumë i rëndësishëm. Rrjedh nga fjala japoneze Kami që do të thotë letër dhe shibai teatër. Historia e tij është e lidhur ngushtë me traditën e artit dhe pikturës në Japoni qysh në shekullin  e VIII- të. Ka origjinë nga spektakli i rrugëve. Në fillim e përdorën budistet për konvertimin e fshatarëve duke bartur korniza druri dhe ndërruar pikturat me përmbajtje fetare dhe politike. Format e para të tij ishin të rënda për transport, megjithatë kjo teknikë ka zënë të  përdorët për gjatë tre shekujve. Në vitet ’30 kur Japonia përjetoi një krizë të madhe ekonomike, ishte bërë pjesë e pandarë e shoqërisë si mjet  zbavitës për masën.

Njeriu”kamishibai” nëpër rrugë e sheshe  rrëfente përralla me ndihmën e  një mjeti të thjesht didaktik, zakonisht  të vendosur në pjesën e prapme të biçikletës, duke ndërruar vet vizatimet. Shfaqja bëhej falas, por ai fitonte duke shitur bonbone për fëmijë. Më vonë (1950)  u zëvendësua nga televizori, aktiviteti i tij si teatër fotografish zhduket krejtësisht. Rrëfyesit e spektakleve të rrugëve u zëvendësuan me tregues të përrallave për fëmijë.

Përdorimi i tij mbetet në struktura tjera pedagogjike si: në bibliotekë, institucione parashkollore, në shkollë, në spital-pediatri etj.. harmanizohet natyrshëm në shumë projekte mësimore. Duke filluar nga personat analfabet që mundëson deshifrimin e fotografisë si etapë hyrëse apo parapërgatitore e gjuhës së shkruar. Ai është një mjet ndihmës për të mësuar leximin sipas mënyrës ludike. Sidomos tek nxënësit e dobët nxit dëshirën për të lexuar.

• Në para shkollore përdoret për ta treguar përrallën.

• Në shkolla fillore mësimdhënësit e pasurojnë aktivitetin e tyre arsimor në disa lëndë: letërsi, biologji, histori etj. në festa me prindër e gjerë te projektet integruese me nxënës dygjuhësor, projekte integrues për të rinj etj.

Aktualisht në Japoni ka një përdorim shumë të gjerë. Arritja e tij në Evropë është diku rreth viteve ‘70-të. Në Zvicër është pjesë e inventarit të shkollës, pjesë e orës së mësimit sidomos në arsimin parashkollor.

Kamishibai apo teatri i vogël është  i sajuar nga druri, ka formën e një valixheje të vogël udhëtimi me dimension 45 x 36 x7,5 cm. Vendoset mbi tavolinë, në parvazin e tij vendosen vizatimet me tekstin e përrallës. Pjesa e përparme (ana nga publiku) është e mbyllur me tre kapak të cilët hapen që në fillim të punës për të u dukur faqja e ilustruar. Fletët e ilustruara ndërrohen çdo herë me shkathtësi nga mësuesi/ja apo nxënësit.  

1. Tregimi i përrallës për mes Kamishibait  Prezantimi i ngjarjes bëhet duke ruajtur  ritmin e leximit dhe kalimin e vizatimeve. Zgjedhja e përrallës duhet të ketë një moment dhe pritje me ankth që zhvillon imagjinatën e fëmijës. Materiali i nevojshëm është mjaftë i thjeshtë: Një dosje pedagogjike e vendosur në një “kornizë druri” e shoqëruar me 8 -12 vizatime të madhësisë A3- 42 x 29,7 cm.

 Krijimi i vizatimeve.

•Krijimi i vizatimeve bëhet sipas ndarjes së ngjarjes. •Ato bëhen në letër të trashë, të ngjyrosura mirë me ngjyra të gjalla, mbështillen me letër të tejdukshme. Vizatohen elemente të rëndësishme të tekstit. Ngjyra që shihen mirë. Vizatime të mëdha pa detaje të vogla.

•Në pjesën e prapme të vizatimit vendoset teksti i shkruar sipas kësaj mënyre: (nëse tregimi është ndarë në 8 pjesë),  vizatimi numër 1, i përgjigjet tekstit numër 8, vizatimi 2 – teksti 1, vizatimi 3 teksti 2,……

Në rast se përralla tregohet në mesin dy gjuhësorë atëherë teksti përkthehet dhe vendoset në të dy gjuhët.

Përgatitja e leximit.•Leximi i përrallës përmes Kamishibait, lidhet shumë me aftësitë parapërgatitore të orës mësimore duke qenë model para nxënësve.

•Teksti lexohet në mënyrë dramatike nga mësuesi/ja e cila rri për ballë fëmijëve duke krijuar gjallëri para tyre, ndërsa nxënësit vendosen në formë harku.

•Me këtë kuptohet që ata do ta dëgjojnë mësuesin/en, duke lexuar me zë të lartë pjesë të zgjedhura, duke krijuar një atmosferë të këndshëm të leximit, që i bën nxënësit të vëmendshëm dhe i tërheq ta vështrojnë atë si një shembull cilësor.

• Para pëlqehet që për leximin me zë të lartë përpara klasës të zgjidhen pjesë të shkurtra të përrallës, për ta ndarë me ta gëzimin e kënaqësinë gjatë leximit.

•Të lexuarit me zë të lartë nga pjesët e zgjedhura si nga përmbajtja dhe gjuha e mban të përqendruar vëmendjen e nxënësit e zhvillon imagjinatën dhe ndihmon për të krijuar e forcuar aftësitë dhe shprehitë:

•  Të themi dhe të dëgjojmë
•  Të kuptojmë dhe të prodhojmë një mesazh gojor, që tregon.
•  Të adaptojmë nivelin e gjuhës sipas dëgjuesit.

• Duke dëgjuar me dëshirë leximet e mësuesit, nxitet dëshira për të mësuar gjëra interesante dhe rritet kurioziteti i tyre..
Metodologjia: Mësimdhënia, leximi i një përralle përmes një mjeti të ri që nuk do të jetë libri. Në këtë aspekt  pjesa që do të lexohet para nxënësve mësuesi/ja për ta interpretuar si duhet teksti duhet ditur gati përmendsh. Nxënësit presin me dëshirë t’u flitet për vendndodhjen e ngjarjes,  të njihen me titullin e përrallës që do ta gjejnë ata  nëpërmjet vizatimeve. Klasa : e I – II-të kopshte shkollore dhe klasa e parë shkollë fillore.
Kompetenca: Dëgjimi dhe të kuptuarit e përrallës. Të kuptuarit e funksionit të Kamishibait.
Tema: Përrallë shqipe, etj. Madhësia e grupit : 26 nxënës .
Koha e kërkuar: 45min. Objektivat • Të njihen nxënësit me një ngjarje të re.•Të përqendrohen në kuptimin e përmbajtjes.• Të pasurojnë fjalorin me fjalë e shprehje të reja.
Organizimi orës.
Hapi parë, nga 5-15 min. për prezantim. Hapi i dytë . Nga 10-15 min. Leximi i përrallës. Hapi i tretë. Nga 15-20 min analiza e përrallës.

 2. Projekt leximi përmes kamishibait,  nga mësuesit që punojnë dy me dy (dy mësues me dy klasë të njëjta). Prezantimi i projektit nxënësve të dy klasave.  Paraprakisht të krijohet një tregim me nxënës. Fillimin e tregimit e bëjnë mësuesit kurse zhvillimin dhe fundin e bëjnë nxënësit. Propozohet titulli, shkruhet  teksti, korrigjohet me ndihmën e fjalorit. Ndahet në pjesë. Bëhen vizatimet sipas ndarjes së ngjarjes. Përgatitja e leximit, çdo nxënës ushtron leximin dhe përdorimin e mjetit. Vetëvlerësimi, grupet e nxënësve prezantojnë tregimin nxënësve të klasës. Takohen nxënësit e dy klasave prezantojnë dy tregime të krijuara prej një fillimi të njëjtë por me një përfundim të ndryshëm. Prezantimi në klasë tjera të shkollës jo më shumë se 50 nxënës. Prezantimi para prindërve me rastin e përfundimit të vitit shkollor.

3. Projekt leximi për mësuesit e shqipes jashtë atdheut

Nga përvoja ime konstatohet se ky mjet didaktik është edhe mjet integrues. Shembulli vjen nga Zvicra në kantonin Jura  projekti “ Kamishibait” ishte mjaft i suksesshëm  përralla “Fitorja e milingonave “ u mirëprit në 44 klasë të shkollës zvicerane (30 komuna).

Prezantimi i një libri nga letërsia shqipe për fëmijë, një tregim apo një përrallë e zgjedhur nga mësuesit që punojnë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe jashtë atdheut,  në bashkëpunim me një mësues/e në vendin ku ata jetojnë.
Objektivat:

•  Të përkrahet shumë gjuhësia për mes leximit.

•  Të njihet gjuha amtare e nxënësve.
•  Të përforcohet lidhja mes gjuhës amtare dhe gjuhës së shkollës.
•  Të përmirësohet kompetenca e gjuhës së dytë për mes njohjes së gjuhës së parë.
•  Të favorizoi hapjen e nxënësve një gjuhësor në panoramën e gjuhëve tjera.
•  Të njehet kultura dygjuhësore e nxënësve
•  Të përkrahet aftësia bashkëpunuese.

Projekti  t’i prezantohet Këshillit të arsimtarëve të shkollës ku punohet. Paraprakisht të përkthehet në gjuhë të vendit të qëndrimit për të krijuar mundësinë e vlerësimit nga shkolla. 

   Organizimi orës.
Hapi parë, nga 5-15 min. bashkëbisedim për vendin e origjinës së përrallës për Shqipërinë, gjuhën shqipe. Hapi i dytë . Nga 10-15 min. Leximi i përrallës. Hapi i tretë. Nga 15-20 min analiza e përrallës.

Nga Nexhmije Mehmetaj,mësuese në Zvicër

Shpërndaje artikullin

No Comments

Comments for Përdorimi i Kamishibait si mjet didaktik dhe integrues are now closed.